Misteri/ Ku përfundojnë mbetjet e rrezikshme që prodhon Shqipëria? Ekspertët: Vajrat industrialë derdhen në kanale

Kompanitë tërheqin mbetjet e rrezikshme, por nuk dihet se ku përfundojnë. Nuk ka landfille për materialet e ndërtimit me amiant dhe mbetjet vajore. KLSH: Kompania që mbledh mbetjet spitalore nuk rezulton se kryen asgjësimin.

 

TIRANE- Goditja e një grupi, i cili trafikonte mbetje të dyshuara si të rrezikshme dhe lëndë kancerogjene amiant nga Italia, për t’i groposur në Vlorë, përmes një pike grumbullimi, të kamufluara si produkte kimike pastrimi, ka ndritur një pikëpyetje të madhe se ku përfundojnë mbetjet toksike që prodhon vetë Shqipëria. Ligjet shqiptare ndalojnë kategorikisht dhe kanë kriminalizuar importimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri, por mister mbetet se ku përfundojnë mbetjet toksike që prodhojmë ne vetë, në kushtet kur në Shqipëri nuk ka lendfille të atilla për menaxhimin e tyre. Mes mbetjeve të rrezikshme që prodhon Shqipëria përfshihen edhe mbetjet spitalore, mbetjet vajore dhe amianti, një fibër natyrale që është përdorur masivisht për ndërtime në vitet ’60, por shumë rrezikshëm për shëndetin, pasi sipas të dhënave shkencore amianti është ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kancerogjene. Amianti është ndaluar rreptësisht, por Shqipëria ka një trashëgimi me tonelata materiale me amiant.

Për menaxhimin e mbetjeve Shqipëria ka një legjislacion të gjerë, por nuk e adreson problemin në pikën fundore. Ligji bazë është ai i vitit 2011, i cili synon parandalimin e mbetjeve, riciklimin dhe asgjësimin e tyre, për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, duke mos vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën, tokën bujqësore, bimët dhe kafshët. Janë 35 ligje, vendime dhe udhëzime për çështjen e mbetjeve. Një vendim konsiston vetëm në grumbullimin dhe trajtimin e vajrave të përdorura. I gjithë legjislacioni synon grumbullimin e sigurt, riciklimin si dhe asgjësimin përmes operacioneve të sigurta të mbetjeve që nuk rikuperohen. Vendimet e tjera parashikojnë rregulla të hollësishme për ambalazhimin e mbetjeve të rrezikshme, transportimin, trajtimin, kostot, strategji, plane kombëtare dhe rajonale etj.

Po çfarë ndodh sot me mbetjet e rrezikshme?

Ambientalisti Sazan Guri, i pyetur rreth kësaj çështje, thekson për Shqiptarja.com se mbetjet vajore përfundojnë në kanale sipërfaqësore. “Mbetjet vajore përfundojnë në kanale sipërfaqësore dhe ujëra nëntokësore. Nuk kemi landfille për mbetje të rrezikshme si amianti etj., as landfill për lëndë ndërtimi inerte, aq më tepër kur janë të shoqëruara me amiant. Shteti nuk di pse Ben ligje, sepse gjykata, ku ne mbrojmë çështje komunitare, nuk pyet për to dhe kur vemi në komisione parlamentare as ata deputetet pyesin”.

Aktualisht entet shtetërore dhe bizneset që prodhojnë mbetje të rrezikshme, si mbetje spitalore, vajra industrialë apo mbetje ndërtimore, kanë lidhur kontrata me kompani të ndryshme, të cilat i tërheqin këtë mbetje. Po ku përfundojnë mbetjet? Një ditë më parë, ministri i Mjedisit Blendi Klosi, i pyetur për Report Tv nëse në Shqipëri bëhet asgjësimi i vajit industrial, Klosi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por la të nënkuptuar se eksportohen jashtë vendi. Po amianti dhe mbetjet e tjera të rrezikshme?

Përfaqësuesi i AKIP, Artan Manushaqe, ekspert për çështjet e mjedisit si dhe për legjislacionin e trajtimit të mbetjeve, u shpreh se në Shqipëri nuk ka asnjë kompani që të plotësojë kriteret jo vetëm për trajtimin, por as për eksportin e mbetjeve të rrezikshme jashtë vendit. “Konventa e Bazelit parashikon kushtet e transportimit të mbetjeve të rrezikshme. Duhet të jenë kushte të posaçme për transport. Në bazë të Konventës, në Shqipëri asnjë subjekt nuk plotëson kriteret për transportin e mbetjeve të rrezikshme. Në ndërsa për importin, direktiva e BE dhe ligji i 2011 ndalon importin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri”, tha përfaqësuesi i AKIP.

Një ekspert ndërtimi pranë Ministrisë së Mjedisit, B. H., tha për Shqiptarja.com se materialet e ndërtimit me amiant aktualisht vetëm grumbullohen, por nuk ka një zgjidhje me asgjësimin e tyre. “Këto materiale ka vite që nuk përdoren me ligj, pasi janë të rrezikshme. Materialet me amiant aktualisht vetëm grumbullohen. Nuk ka ende një zgjidhje me asgjësimin, për shkak se asgjësimi është shumë i kushtueshëm. Është aq i kushtueshëm sa edhe asgjësimi i lëndëve kimike”, tha ai. Një tjetër kimist industrial  A. H., pranë Ministrisë së Mjedisit, i pyetur për mbetjet e vajrave industrialë, sidomos të anijeve, tha se ka kompani të licencuara për mbledhjen e këtyre mbetjeve, ndonëse në vend nuk ka fabrika për trajtimin. Në Shqipëri janë 590 ekspertë të fushave të ndryshme për mjedisin. Disa prej, tyre të kontaktuar, pohuan të njëjtën problematikë, mungesën e zgjidhjes përfundimtare. Ekspertët nuk pranuan të identifikohen me gjeneralitete të plota, por vetëm me iniciale.

Nga ana tjetër, ashtu si ministri Klosi, edhe përfaqësuesi i AKIP Artan Manushaqe thekson se Shqipëria nuk ka kapacitete për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme. “Në Shqipëri nuk ka një landfill që të plotësojë standardet e BE-së. Landfilli ka kritere specifike të përcaktuara, sepse landfilli ka proceset e asgjësimit fundor. Për çdo mbetje të rrezikshme duhet gropa e vet. Për shembull radioaktiviteti ka gropën e vet, që e ruan në atë gjendje për 100 vjet. Bakri ka gropë tjetër. Mbetjet farmaceutike kanë gropë tjetër. Ka shkarkues që nxjerrin helmet, të cilat edhe këto konservohen. Ne nuk e kemi këtë sepse kushton shumë. Kemi vetëm një strategji për të bërë 12 landfillde. Ka investuar edhe BE për këtë. Aktualisht nuk ka asnjë landfill me standarde. Për mbetjet e rrezikshme, duhen kushte më specifike për t’u konservuar dhe groposur. Amianti është shpallur nga OBSH si mbetja më e rrezikshme, pasi përmban fije që hyjnë në mushkëri”, tha ai.

Procedurat e menaxhimit të mbetjeve kanë qenë vazhdimisht objekt auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për mbetjet e rrezikshme, sidomos ato spitalore, në një raport të vitit 2018, KLSH konstaton se në adresën e deklaruar nga njëra kompani koncesionare, për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, nuk rezulton të kryhet asnjë veprimtari trajtimi/asgjësimi e mbetjeve spitalore. Pra, sipas KLSH, bëhet fjalë për një skemë mashtrimi dhe mbetjet nuk dihet se ku zhduken. Në raportin e siguruar nga Shqiptarja.com, thuhet se nuk ka të dhëna se ku përfundon mbetja nga djegia ose hiri që përftohet nga procesi i trajtimit të mbetjeve spitalore nëpërmjet incenerimit. Po ashtu, sipas KLSH, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk kanë të dhëna mbi mbetjen nga djegia ose hiri që përftohet nga procesi i trajtimit të mbetjeve spitalore nëpërmjet incenerimit.

Përfaqësuesi i AKIP pohon se të njëjtin fat si mbetjet spitalore kanë edhe ato vajore. “Janë dy kompani në Shqipëri që kanë marrë me koncesion menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, si indet, gjymtyrët e prera me sëmundje, mbetjet dentale etj. Këto dy kompani presupezohet se kanë incenerator, ku i djegin në një temperaturë të caktuar. Por edhe pluhuri që mbetet, duhet të merret dhe të çohet në lendfill dhe të groposet sipas kushteve. Kontratën për këto e lidh njësia vendore dhe Ministria e Shëndetësisë. Një kompani doli para ca kohësh që i hidhte mbetet në Ishëm. Çfarë ndodh në praktikë? Lidhin një kontratë me bashkinë dhe marrin mbetjet. Ku i çojnë këta mbetjet? Këtu nuk dihet. Edhe serviset e makinave, në fund të muajit, janë të detyruar që të kenë bolierët që shkarkojnë vajin. Këta vaji të mbetur duhet t’ia dorëzojnë koncesionarit, me të cilin njësia vendore ka lidhur kontratën. Ku e çojnë këta vajin? Këtu është problemi, sepse ne nuk kemi landfill për këto. Bashkia ka lidhur kontratë. Ku i çojnë kompanitë këto mbetje të rrezikshme? Ku është landfilli? Ne nuk kemi landfill. Ku është procesi; ku bëhet shkarkimi, ku bëhet ndarja, që ka rërë, ujë? Ka mbetje që duhet të shkojnë 100 m në thellësi, të ambalazhuara, me hekur, çakull etj. Nëse e gropos uraniumin 10 metra, ai përhapet dhe e merr lumi”.

Në maji të 2018, sasi të mëdha të vajit të djegur janë derdhur nga persona të paidentifikuar nga policia e Durrësit në akuariumin e portit duke shkaktuar një katastrofë natyrore. Më parë, ujërat e Dhërmiut dhe Himarës u mbuluan nga vaji i djegur dhe nafta, të shkarkuara nga një anije greke. Në raste të tjera, sidomos në Vlorë, dyshimet për hedhjen e vajit të djegur, janë fokusuar nga kompanitë e kontraktuara për menaxhimin e këtyre mbetjeve. Anija e bllokuar ditët e fundit në Vlorë kishte kontraktuar për tërheqjen e mbetjeve firmën e pastrimit ‘Delfini 1’. Sipas një tjetër raporti të KLSH të muajve të fundit, Vlora ndotet edhe nga derdhja ilegale e ujërave të larjes nga anijet në port.

Ndërkaq, sipas disa raporteve të KLSH, situata e menaxhimit të ujërave të zeza është po aq dramatike. Në një raport të 2018, KLSH ka konstatuar se ujërat e zeza të prodhuara nga qyteti i Shkodrës me mbi 140 mijë banorë, shkarkohen në ujërat e lumenjve Drin dhe Bunë pa u përpunuar, duke sjellë si pasojë një situatë të tejndotur. Nga bashkia Shkodër nuk është dhënë zgjidhje për këtë situatë me arsyetimin se kemi mungesë fondesh dhe për këto projektet e mbetura pa u përfunduar. Në një tjetër raport të 2019, KLSH flet për problematikën e ujërave të zeza në Vlorë, ndërsa ujërat në bregdetin e Sarandës janë bashkuar shpeshherë me ujërat e zeza. KLSH, në raportin e tetorit 2019 ‘ndotja e deteve’, arrin në konluzionin se nuk ka një strategji për mbrojtjen e detit nga ndotjet dhe ndotësit. KLSH ka analizuar masat e marra kundër ndotjes në bregdet si në Velipojë, Shëngjin, Tale (Lezhë), Gjiri i Lalzit, Durrës, Golem, Vlorë, Dhërmi, Himarë, Borsh, Sarandë si dhe masat  në 12 qarqet e vendit.