Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri

Shumë gjëra në jetë varen nga këndvështrimi që si vendimmarrës, ekzekutues, vështrues i painteresuar apo i interesuar merr për të kuptuar e gjykuar mbi to. Çështja e pambarim e plehrave është një nga ato. Plehra apo mbetje, varet sipas kontekstit ku përdoret kjo fjalë, ka pasur, ka e do të këtë, duke qenë se vetë njeriu i prodhon ato si pjesë e pashmangshme e përditshmërisë.

Në vendin tonë, sikurse edhe për çështje të tjera, për aq kohë sa plehrat nuk ua kanë zënë direkt derën e shtëpisë, njerëzit duket se e kanë të vështirë të gjejnë vullnetin për të kërkuar një zgjidhje përfundimtare për to. Në vitet ’90 edhe zona fare pranë qendrës së Tiranës mbanin në gji tonelata plehra shtresë mbi shtresë dhe era e keqe e tyre ishte kthyer në një e keqe e pranuar nga banorët. Të paktën sot gjendja nuk mund të thuhet se është më e këtij niveli. Sidoqoftë, megjithë përpjekjet që mund të bëhen nga qeveria lokale dhe nga kompanitë që merren me vendosje kazanesh dhe pastrim të rregullt, vëren që plehrat vazhdojnë të hidhen sipas qejfit. Si një shembull konkret të përsëritur shumë herë, mund të sjell këtu atë në trotuarin përballë shkollës së mesme Sami Frashëri ku mbasdite vonë sheh që rrugën në të e ka zënë një maluc plehrash familjare të hedhura përtokë, ndërkohë që kazani i plehrave është në krahun e shkollës, rreth 20 m më tej. Përfaqësuesit e familjeve plehraprodhuese-plehrahedhëse duket se përtojnë të lëvizin edhe 20 m që të arrijnë deri tek kazani. Turistët e huaj, edhe ata më dashamirësit që vërtet e kanë përzemër Shqipërinë, vënë në dukje plehrat tek gjërat negative që i bien në sy gjatë udhëtimeve të tyre. Të hedhura në anë të rrugës, në mes të pyjeve, në rërën e bollshme të plazheve, me më të lehtat mënyra: hap xhamin e makinës dhe hidhe lëkurën e bananes, apo qesen me mbeturina ushqimore, hap shalqinin në plazh, haje deri në fund dhe lije pas lëvoren aty ku kalove gjithë ditën. Ndërkohë, jo për shkak se i detyron ndonjë ligj apo policia, por në një vend të huaj – nga ata prej të cilëve kemi shumë qejf të krenohemi se na kanë vizituar turistë, vështirë se do të rastisje një skenë ku një njeri lëshon plehra në mes të rrugës pa u turpëruar. Reagimi do të vinte i menjëhershëm, ose me shikime të vëngërta sikur personi të ishte keqbërës ose duke i vënë në dukje shkeljen e normës së pashkruar. Parë nga ky këndvështrim, çështja e plehrave mund të thuhet se është gjithmonë një çështje e edukatës qytetare.

Këto ditë është diskutuar shumë mbi ligjin për menaxhimin e mbetjeve dhe vendimin për ndalimin e importeve, edhe të mbetjeve të parrezikshme për riciklim. Sikurse shtjellohet në artikuj kundër vendimit e në favor të tij, lëvizja ishte e bujshme. Por kush dëmtohet vërtet prej këtij vendimi? Këndvështrimi në këtë artikull është ai i qytetarëve, të cilët kanë arritur një stad zhvillimi dhe respektojnë veten, ndaj edhe e konsiderojnë me rëndësi që çështja e plehrave dhe pastërtia e mjedisit ku jetojnë bashkë me familjen, të jetë e zgjidhur. Pra pyetja është: Me këtë vendim për moslejimin e importeve të mbetjeve a do të dëmtohet cilësia e jetës?

Pasojat për qytetarët

Sikurse mësohet nga ekspertë të biznesit që njohin zhvillimet në industrinë e riciklimit, lënda e parë e siguruar në Shqipëri – pra prodhimi vendas i plehrave të llojeve të ndryshme – mbulon deri në 60% të nevojave të industrisë. Pjesa që mbetet, duhet të mbulohet me importe në mënyrë që industria të jetë në gjendje të vazhdojë punën në mënyrë eficiente. Në mungesë të lëndës së parë vendase dhe penguar nga importet e munguara, është për t’u pritur që një pjesë e mirë e bizneseve në industri do të vuajnë e në varësi të kushteve që kanë, ndoshta do të mbyllen krejtësisht, ndoshta do të gjejnë rrugë të tjera për ta bërë gjithsesi importin, ndoshta do të organizohen me njëri-tjetrin e me zë të fortë të kërkojnë nga qeveria e re që t’i dëgjojë. Në fakt eksperienca botërore tregon se ky zë është më i fortë se ai i politikës, vetëm se bizneset duhet ta kuptojnë si të tillë. Duke lënë mënjanë faktin që shumë njerëz mund të mbeten pa punë dhe që tatime do të mbeten pa mbledhur, tatime të cilat në fakt duhet të na interesojnë se përbëjnë të ardhura për arkën tonë të përbashkët shtetërore, ndodh diçka me rëndësi që na prek direkt si qytetarë shqiptarë. 60%-shi që kishte burim plehrat vendase si lëndë e parë për këtë industri, nuk do të ketë ku të shkojë. Do të mbetet aty ku është, në landfille, në lagjet e rrugët tona. Çfarë do të bëjnë për këtë shoqatat mjedisore nëse ndalimi është përfundimtar? Mbetet për t’u parë. Nëse mendohej kjo si një fitore kundër bizneseve keqbërëse, ndoshta ka qenë mendim dritëshkurtër. Nëse synimi ka qenë thjesht t’i prishej punë në mënyrë të qëllimtë disa bizneseve të padëshiruara për interesa të caktuara, atëherë tema është krejt një tjetër, por nuk është temë për këtë artikull.

Çfarë mund të sugjerohet për më tej? Pushteti lokal dhe kompanitë e grumbullimit

Qysh nga fillimi, objekti i duhur për protestat e shoqatave mjedisore dhe aktivistëve ambientalistë duhet të ishte pushteti lokal dhe ai qendror. Plehra në Shqipëri ka sa të duash dhe ato do të mjaftonin ndoshta për të mbuluar krejt nevojën e industrisë, por ato sikurse mësohet nga ekspertët e fushës, nuk janë lëndë e parë e mirë, sepse nuk janë të ndara dhe kështu nuk janë atraktive për industrinë. Një zgjidhje e mirë që me sukses aplikohet në vende të tjera, është që në mënyrë të detyruar ndarja të bëhet nga vetë familjet që i prodhojnë ato. Aktualisht në Tiranë janë disa raste në zonën e ish-Bllokut e pranë tij ku duket se po eksperimentohet me kazanët e ndarë, por kjo duhet të bëhet normë kudo në Shqipëri. Me këtë normë dhe me implementimin e saj, çdo familje në nivel bazë e më tej edhe pushteti lokal do të bashkëpunonte në mbajtjen pastër të mjedisit dhe në riciklimin më të plotë të mbetjeve “prodhim vendas”.

Në mungesë të ndërhyrjes nga pushteti lokal, do të kishte hapësirë që kompani grumbullimi dhe trajtimi të mbetjeve të krijoheshin e të punonin si ndërmjetëse që mbetjet në gjendjen e përzier t’i ndanin e t’i kthenin në të gatshme për procesim më tej. Me një ide të tillë u paraqit në Tiranë një ekip në muajin qershor gjatë aktivitetit Startup Weekend Tirana, aktivitet i cili synon zhvillimin dhe prezantimin e ideve të reja për biznese. Por ndërkohë që ideja u vlerësua edhe si më e mira e prezantuar, nuk dihet se sa në gjendje ka qenë grupi që ta kthejë atë në biznes të vërtetë.

Çfarë mund të sugjerohet për më tej? Statistikat dhe transparenca e tyre (modeli austriak)

Nëpërmjet kinematografisë e mediave, edhe në rast mungese njohurish të tjera, mësojmë për raste skandalesh të mëdha mjedisore, sesi kompanitë mund të përpiqen të fshehin atë që bëjnë për eliminimin e mbetjeve të llojeve të ndryshme, sesi komisarë famëmëdhenj policie ose ambientalistë të përbetuar luftojnë për mbrojtjen e jetës së njerëzve. Vetëdija qytetare ekziston dhe me atë vetëdije ndoshta është luajtur fort edhe në Shqipëri, por duket ajo nuk është në atë nivel sa nga bizneset dhe nga qeveria (në nivel qendror e lokal) të kërkohet transparencë lidhur me mbetjet në qarkullim, grumbullimin, importet, riciklimin e tyre në vite. Këtë mund ta vëresh, duke klikuar në faqet e internetit qoftë të Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë ashtu edhe të bashkive të veçanta. Informacione të kësaj natyre mungojnë në to.

Ndërkohë në një vend që si shqiptarë e kemi përzemër dhe i cili realisht është pararojë në nivel ndërkombëtar përsa i përket trajtimit të temave të mjedisit, në Austri, historia e përpjekjeve konstruktive për mbrojtjen e mjedisit është e gjatë dhe pasojat pozitive të saj mund të shihen edhe në këtë drejtim. Në faqen e internetit të qeverisë qendrore dhe qeverisë së çdo bundeslandi mund të gjesh informacione shumë të detajuara dhe të kuptueshme lidhur me statistikat e mbetjeve dhe riciklimit. E njëjta gjë vlen edhe për faqen e Ministrisë së Jetës (e cila mbulon edhe tematikën e mjedisit). Në bazë të punës për menaxhimin e mbetjeve qëndron parimi i zhvillimit të qëndrueshëm. Baza është ligji i mbetjeve i cili ka për qëllim kryesor mbrojtjen e njeriut dhe mjedisit. Ky qëllim arrihet me mundësisht sa më pak emisione industriale në mjedis dhe me përdorimin sa më mirë të mundshëm të burimeve në dispozicion. Ky qëllim bazë shfaqet i njëjtë me atë në ligjin shqiptar “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në jetë edhe tek ne që prej vitit 2011. Përmes një sistemi elektronik të menaxhimit të të dhënave, qytetarët në Austri mund të informohen mbi gjithçka që ka të bëjë me operatorët ekonomikë që veprojnë në terren për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve, sasinë e mbetjeve të ricikluara paraqitur në mënyrë të detajuar prej vitesh. Në këtë mënyrë shumë pak vend mbetet për spekulime dhe për akuza ndaj industrisë. Duke parë eksperiencën pozitive në Austri, do të ishte me vend që një kërkesë e tillë për transparencë e manaxhim të përqendruar të të dhënave, të realizohej edhe në Shqipëri. Eshtë pikërisht kjo një nga ato fusha ku zërat e ambientalistëve duhet të kishin qenë të fortë në vitet e shkuara, por edhe tani. Vlen të përmendet një iniciativë private (riciklimi.al), por e cila duket se ka mbetur me statusin “under construction”.

Çfarë mund të sugjerohet për më tej? Edukimi qytetar dhe roli i mediave

Duke iu referuar rastit të përsëritur të plehrave të hedhura në trotuarin përballë shkollës së mesme „Sami Frashëri“, 20 m larg kazanit të caktuar për to dhe rastit të turistëve që tundin kokën dhe e marrin këtë me vete ndoshta si gjënë e vetme të rëndësishme negative kundër turizmit në Shqipëri, mund të thuhet se ka shumë vend për të punuar në drejtim të edukimit të qytetarëve. Me një ministri e cila i kushtohet në mënyrë të posaçme mjedisit, me kushedi sa shoqata mjedisore dhe sa media vizuale apo të shkruara, është e pakuptueshme se pse ka kaq pak informacion sqarues mbi zhvillimet rreth kësaj teme në Shqipëri. Me më shumë njohuri, edhe qytetarët do të dinin të dallonin se çfarë qëndron pranë së vërtetës e çfarë bëhet për abuzim.

Duke iu referuar faqeve të Ministrisë së Jetës në Austri e faqeve të qeverive të bundeslandeve austriake, mund të thuhet se fokusi në to vendoset jo vetëm në paraqitjen e disa të dhënave të thata lidhur me zhvillimet e këtyre institucioneve dhe paraqitjet publike të funksionarëve, por njëkohësisht edhe në edukimin e publikut me broshura të shumta, duke përfshirë edhe statistikat e lartpërmendura që mundësojnë transparencë.

Mediat tona në mënyrë aktive mund të bëjnë shumë më tepër lidhur me këtë temë. Mirë do të ishte që të sakrifikohet ndonjë nga përsëritjet në orë të ndryshme të ditës të emisioneve e telenovelave e të flitej kohë pas kohe për këtë temë, për ta ndërgjegjësuar publikun dhe për ta kthyer sjelljen e mirë qytetare në normalitet. Mund të investohet në fushata publicitare në të cilat bashkë me mediat të përfshiheshin edhe kompani private të industrive të ndryshme që zakonisht kontribuojnë në rritjen e plehrave në qarkullim. Për këto kompani, kjo iniciativë mund të ishte pjesë e përpjekjeve për të treguar përgjegjësi sociale, komplementare për përpjekjet marketing që do t’i dallonte nga konkurrenca. Me vlerë është të angazhohesh jo vetëm për të sponsorizuar aktivitete argëtuese në televizione, por edhe për tema me ndjeshmëri të lartë të cilat prekin direkt cilësinë e jetës sonë si njerëz. Një kërkim i mirë tregu do ta tregonte lehtësisht këtë gjë.