Mbetjet e shpërndara në Shqipëri e kanë origjinën kryesisht nga zona rurale. Ja si mund të shërohet kjo “plagë e vjetër”

Ditë më parë e në mënyrë të përsëritur në median vizive tërhiqej vëmendja me informacione të tilla si; “mbetjet kanë pushtuar bregdetin nga Kepi i Redonit në Patok” apo “plastika ka pushtuar përrenjtë, rezervuarët e hidrocentraleve si në asnjë vënd tjetër krahasuar me rajonin ose më gjerë”. Fatkeqësisht ky fenomen është i pranishëm në pjesën dërrmuese të territorit dhe ekziston prej vitesh.

Situata tregon se ndotja nga mbetjet është një problem shumë i vështirë për t’u menaxhuar. Kjo për faktin se çdo familje ose çdo person që krijon mbetje është potencialisht një burim ndotjeje. Eshtë e pamundur të kontrollosh situatën për çdo familje ose çdo person në momentin e hedhjes së mbeturinave nga shtëpia duke patur parasysh numrin e madh të tyre.

Kur mbetjet i shikon në bregdet ose në rezervuarin e Fierzës është e vështirë të gjykosh origjinën e tyre. E njëjta situatë ndodh nëse duam të përcaktojmë origjinën e ndotjes së ajrit, kur ajo shkaktohet nga mijëra makina në qarkullim dhe qindra burime të tjera, ashtu siç është e pamundur të përcaktohet origjina e ndotjes në ujin e lumit të Drinit kur ajo mund të vijë nga mijëra burime të mundshme të shpërndara përgjatë më shumë se 300 km ose më shumë se 14 mijë km2.

Pavarësisht problematikës ose mangësive në zonat urbane tashmë është ngritur dhe funksionon sistemi i grumbullimit të mbetjeve. Në të kundërt, administrimi i mbetjeve në zonën rurale do të ishte jashtë kontrollit. Nga njëra anë, komunitetet rurale kanë ndjeshmëri të ulët ose janë indiferentë ndaj problemit të mbetjeve. Nga ana tjetër, mbetjet në zonën rurale nuk mund të administrohen me një kosh mbeturinash në mes ose në anë të fshatit. Ky proces vështirësohet edhe nga distanca e largët e banesave nga njëra-tjetra. Për shumë vite me radhë banorë të zonave rurale nuk e kanë marrë mundimin të çojnë mbetjet tek kazani/koshi i mbeturinave por mjaftohen t’i largojnë pak metra nga gardhi i oborrit e më pas ato fillojnë udhëtimin drejt lumenjve dhe bregdetit.

Mjafton një vëzhgim i thjeshtë që të konstatosh se në çdo fshat, vendi më i preferuar për mbetjet janë kanalet ose përrenjtë. Kjo analizë e thjeshtë tregon se ndotja nga mbetjet që shpërndahen në gjithë vendin, e ka origjinën kryesisht nga zonat rurale që shtrihen në më shumë se 80% të territorit të vendit.

Faktet tregojnë se për tre dekada pushteti lokal që administron zonën rurale e ka të pamundur të mbajë nën kontroll problematikën e mbetjeve. Institucionet përgjegjëse dhe bashkitë nuk mund të kontrollojnë territorin ose të përmirësojnë situatën nëse nuk vendosin kontrollin mbi burimet e ndotjes në zonën rurale. Ashtu siç bëhet kontrolli i makinave për shkarkimet e gazrave ose menaxhimi i baseneve të lumenjve nëpërmjet monitorimit të shkarkimeve, ashtu duhen gjetur rrugë/mënyra për të kontrolluar mbetjet në burim ose aty ku krijohen, në çdo shtëpi ose objekt shërbimesh.

Fillimisht, zgjidhja e problemit të mbetjeve në zonën rurale duhet të ndryshojë nga ana ligjore dhe të bëhet në mënyrë të ngjashme me praktikën e zbatuar deri në vitet 1990. Çdo objekt që krijon mbetje (shtëpi ose godinë biznesi në zonën rurale jashtë aksesit të skemave kolektive) duhet të ketë vendin e posaçëm për grumbullimin e mbetjeve “të detyruar me ligj” ashtu siç nevojitet gropa septike për ujërat e zeza. Kjo gropë e mbuluar ose mini-landfilld (1-2m3 e mjaftueshme për 4-8 persona në vit), duhet të plotësojë standartet e përcaktuara për të siguruar izolimin e ndotjes dhe mbrojtjen e shëndetit. Shërbimi i grumbullimit dhe largimit të mbetjeve për riciklim ose drejt landfilldeve më të afërta mund të organizohet me efikasitet 12 herë në vit. Për më shumë, familjet mund të përfitojnë nga ruajtja e diferencuar e mbetjeve dhe shitja e tyre duke rritur në mënyrë të konsiderueshme sasinë për riciklim.

Nevoja për të ndryshuar situatën e bën urgjente planifikimin dhe zbatimin e praktikës së re për administrimin e mbetjeve në mënyrë individuale për çdo objekt ose banesë në zonën rurale. Kjo praktikë e cila është me kosto minimale për familjet, duhet të jetë e detyrueshme dhe të monitorohet nga inspektoriatet e mjedisit, shëndetësisë dhe nga policia bashkiake. Paralelisht ndotja dhe dëmtimi i mjedisit nga plehrat nuk duhet të tolerohet por të ndëshkohet me gjobë të rëndë nga ligji. Institucionet shtetërore në koordinim duhet të marrin përsipër administrimin e territorit dhe burimeve të përbashkëta natyrore duke shpallur si vijë të kuqe e të patolerueshme ndotjen nga plehrat.

Ministria e Mjedisit mund të koordinojë procesin, ndërkohë që këshillat bashkiakë mund të fillojnë pa humbur kohë të hartojnë rregulloret përkatëse dhe fillojnë nga puna. Në një periudhë afatshkurtër, banorët nga shkaktarë të ndotjes do të ndihen të angazhuar dhe do të jenë bashkëpunues me institucionet për ruajtjen e mjedisit. Kjo politikë e thjeshtë dhe pa shpenzime do të bëjë të mundur shërimin e një plage të vjetër në Shqipëri nga e cila ndihemi keq të gjithë, përfshirë edhe ata që e kanë shkaktuar problemin.